Friday, November 2, 2007

Të nderuar Studentë

MIRË SE VINI në Universitetin e Prishtinës. Universiteti ynë është relativisht i ri krahasuar me traditat universitare nëpër vendet e ndryshme të botës. Më 15 shkurt të vitit 2007 festuam 37 vjetorin. Rikujtuam tërë kohën e tij që nga themelimi e deri më sot, praktikën tonë unike nëpër të cilën kaluam si popull dhe si akademik. Prej vitit 1991 e deri pas çlirimit të vendit në qershor të vitit 1999, Universiteti punoi dhe veproi në kushtet e mbijetesës së rëndë nëpër të cilën kaloi tërë Kosova. U mbajt me sakrificë të madhe tempoja e jetës dhe punës akademike, por çmimi në cilësi u pagua lartë. Pas luftës u desh kohë e madhe për të lëvizur gjërat nga pika tepër e ulët në të cilën na kishte shtyrë regjimi serb i Milosheviqit. Roli dhe rëndësia e Universitetit të Prishtinës që nga themelimi i tij kanë qenë tipike për rolet e rëndësitë që universitetet kanë luajtur nepër vendet e qytetërimit perëndimor, iluminist dhe çlirues nga tutela e të tjerëve.

Më 15 shkurt filluam pilot projektet e IT për dy njësitë tona akademike, një në Fakultetetin e Inxhinerisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe tjetrin në Fakultetin e Mjekësisë. E quajtëm “Vizioni e-UP 2010”, i cili ka për qëllim nxjerrjen e Universitetit nga sistemi i vjetër i jetës dhe punës, në të gjitha aspektet e tij: akademike, administrative dhe financiare.
Sistemi i jetës dhe punës që trashëguam i takon shekullit që e lamë pas.

I dedikuar për mësim dhe hulumtim, sipas vlerave e sistemeve perëndimore, Universiteti i Prishtinës po bënë hapa të guximishëm për të shkuar kah Procesi i Bolonjës. Në fakt, Universiteti i Prishtinës, marrë parasyshë të kaluarën e tij të vështirë, ka nevojë më shumë se për Bolonjën, ajo që e quajta “Bolonja Plus”, don të thotë rimodelimi i tij gradual sipas sistemit të vlerave të universiteveve më të përparuara të vendeve evro-atlantike. Këtë do ta arrijmë pashmangshëm. Në emër të këtij qëllimi të përbashkët, Ju ftojmë të jeni me ne, krahas përpjekjeve tona fisnike dhe për të mirën e gjeneratave që vijnë pas nesh.

Mirëpresim komentet Tuaja dhe ndihmën në rrugëtimin tonë drejt Perëndimit, drejt kulturave e vlerave arsimore dhe universitare të qytetërimit të cilit objektivisht i takojmë.

Enver HASANI

No comments: