Monday, September 17, 2007

VIP-at e muzikës, “pushime” me koncerte në dy shtete

Alban Skënderaj, Elvana Gjata dhe Soni Malaj japin koncerte “live” në Prishtinë

Artan KAJTAZI

Një pjesë e VIP-ave kosovarë i kanë filluar pushimet njëkohësisht me hapjen e sezonit veror. Për ta pushimet vijojnë deri në përfundimin e këtij sezoni. Disa të tjerë pushimet s’i kanë filluar ende, e rrjedhimisht, as projektet për koncerte të ndryshme. Një pjesë pushimet tashmë i kanë përfunduar. Naim Bunjaku - Xuxi pohon se pushimet verore i ka kaluar dhe do t'i kalojë në Kosovë. "Unë për vete s'jam marrë aq shumë me muzikë këtë verë, për arsye se kam qenë i angazhuar me shumë obligime rreth diskotekës. Ajo është një hapësirë e madhe dhe duhet të punohet shumë për të arritur ndonjë sukses. Ata që duhet të punojnë, mendoj në Grupin e Unitetit, nuk po punojnë, kështu që ne qytetarët po mundohemi që të punojmë maksimalisht", - shtoi ai. Thënë ndryshe, nëpër koncertet që u mbajtën kësaj vere në diskotekën “Armatizerat”, kanë kaluar emra të njohur të muzikës shqipe, si Alban Skënderaj, Kthjellu, Vullnet Marigona, Vesa Luma, Jehona Sopi, Genta Ismajli, Nora Istrefi, këngëtarë këta që Xuxi i quan me nam dhe të njohur e të mirëpritur nga publiku shqiptar. “Iu është dhënë një mundësi e mirë këngëtarëve tek unë, para së gjithash një përvojë e re, pasi këtu ata këndojnë vetëm live”, - theksoi ai. Në kuadër të projektit veror, Xuxi pohon se këtë muaj ka në plan të ftojë edhe dy këngëtaret nga Shqipëria, Elvana Gjata dhe Soni Malaj, dy nga Kosova, Rona Nishliun dhe Teuta Kurtin. “Ne këtu punojmë gati çdo ditë me DJ dhe koncerte live”. Ndërkaq, këngëtarja e re, Gresa Beluli, një pjesë të pushimeve verore i ka kaluar në Durrës, bashkë me nënën e saj, këngëtaren Shkurte Fejza. "Për pushime kam qenë 4-5 ditë në Durrës. E kam në plan të shkoj prapë me gjithë familjen në Golem. Për ato ditë sa isha atje kam shoqëruar mamin, meqenëse ajo këndonte për çdo mbrëmje, e në të njëjtën kohë edhe kemi pushuar pak me të”, - shton Gresa. Ajo tregon se ka në plan që të shkojë sërish me familje në pushime, kësaj here në Golem, ku do të qëndrojnë 7-8 ditë. ”Jam në bisedime me disa menaxherë që, në kuadër të pushimeve dhe nëse më pëlqen oferta, ta shfrytëzoj pak atë pushim dhe të mbaj ndonjë koncert për qejf, por edhe për përfitime materiale”, - përfundon këngëtarja. Vera kështu mbetet sezon vërtet i frytshëm për këngëtarët kosovarë. Shpeshherë, disa prej tyre, akoma pa bërë mirë emër, japin koncerte nëpër pishina e diskoteka të ndryshme në vend, ndërkohë që të tjerët - ata të mëdhenjtë - për muaj e verës japin koncerte në bregdetin shqiptar, pa e lënë mënjanë as diasporën. Më gjithë insistimin e gazetës, ishte e pamundur që të kontaktohej drejtpërdrejt me këngëtaren e njohur Edona Lalloshi. Vëllai i saj pohoi se “momentalisht është sezoni i verës dhe ne po organizojmë për çdo natë koncerte në Durrës”. Ai shtoi se “tani sigurisht Edona ndodhej në plazh, ku e shfrytëzon kohën e lirë që i mbetet, duke qenë se këndon për çdo mbrëmje”. Ndryshe nga shumë këngëtarë tjerë, Teuta Kurti ka refuzuar të gjitha ftesat për të marrë pjesë nëpër koncerte dhe mbrëmje të ndryshme. Teuta me të dashurin e saj pushimet i ka kaluar në Turqi. "Preferoj që pushimet t'i kaloj pa asnjë obligim. Edhe këngëtarët që këndojnë nëpër bregdet, prapëseprapë do të organizojnë edhe një pushim tjetër... Këto koncerte ata i japin vetëm për para", - theksoi Kurti. Ajo për sivjet ka në plan që t’i përfundojë sa më parë provimet në Akademi, pastaj të japë ndonjë koncert në diskoteka të ndryshme.

Marrë nga “Express” Prishtinë

No comments: